Kombi dhe shteti tek Branko Merxhani

Kombi dhe shteti tek Merxhani

Branko Merxhani (1894-1981), është një nga përfaqësuesit më pak të njohur të Rilindjes, por jo më pak i rëndësishëm për periudhën në fjalë. Projekti i tij, që u quajt “Neoshqiptarizmë” parashihte ndryshime rrënjësore në Shqipërinë e pas shpalljes së pavarësisë, nga botëkuptimet e përgjithëshme mbi kombin shqiptar në përgjithësi, e deri tek çështjet më specifike si: edukimi, arsimi, kultura, gjuha, vendimet shtetërore etj. Pra, pas pavarsisë kërkohej organizim i ri, rikonsolidim, caktim i prioriteteve të reja dhe rimendim mbi jetën kulturore, arsimore, edukative etj. Në këtë kuptim lindi edhe “Neoshqiptarizma”, e Merxhanit.

Në formulën e “Neoshqiptarizmës” së Merxhanit një vend të veçantë zë edhe diskutimi për shtetin dhe organizimin shtetëror. Shtetin e krijon organizmi dhe vullneti shoqëror. Nuk mund të ketë shtet pa shndërrimin e njeriut nga një krijesë me instikt, në një personalitet shoqëror. Sipas Merxhanit individi në parim është një send a-shoqëror, kurse shoqëria është send shoqëror. Në këtë kuptim sipas tij shoqëria duhet ta udhëheq individin me gjithë mekanizmat e saja në mënyrë që ta transformojnë në krijesë shoqërore. Një transformim i tillë e bën të mundur edhe vetë idenë e shtetit.

Merxhani përmes neoshqiptarizmës avokonte drejt pushtetit monarkik në Shqipëri. Sipas tij, është e vetmja monarkia, ajo formë pushteti e cila e bën të mundur ngjalljen dhe mbijetesën e idealit shqiptar dhe është e vetmja monarkia, e cila e bën të mundur zhvillimin e frymës shoqërore dhe theksimin e shoqërores përballë individuales:

Monarkija është e vetmja formë shtetërore e cila tregoi me fakte fuqinë, vullnetin dhe vendimin për të ushtëruar forcën e saj mbi tendencat ati-shoqërore të jetës së sotme shqiptare dhe të mbjelë brënda në shpirtin egoist të popullit t’onë ndjenjën e Shenjtërisë, e Dashurisë, e Devocionit për idealizmën shqiptare.

Ideali ishte shpirti në bazë të të cilit fliste Neoshqiptarizma dhe më lart pamë se Merxhani përmes monarkisë besonte se ideali kombëtar do të fuqizohej, e përmes tij do të ngrihej edhe shteti.

Merxhani ishte jashtëzakonisht i interesuar që në Shqipëri të inkorporonte elementin sociologjik në kuadër të analizimit të jetës shoqërore. Në këtë kuptim me analizimin e kombit si formacion socio-historik, ai thoshte se çdo komb ka sociologjinë e veçantë. Në këtë kuptim sipas tij nuk ka mundësi të analizosh një komb në të njëjtat premisa me një komb tjetër, ngase çdo komb ka realitete sociale të ndryshme. Jeta kombëtare dhe ideali kombëtar ishin para së gjithash e mbi të gjitha për Merxhanin, çdo gjë sipas tij duhej të ishte në funksion të lartësimit të jetës kombëtare. “Qëllimi është jeta e Kombit dhe mjeti është fuqia e shkencës”, pjesa e parë e këtij postulati thotë atë që e përmendëm më lart se qëllimi i jetës duhet të jetë lartësimi i jetës kombëtare. Ndërkohë në pjesën e dytë, duke qenë njeri që promovonte shkencën, ai besonte se ajo duhet të përdoret në shërbim të ngritjes së kombit shqiptar dhe të ardhmes së tij. Ajo që jo vetëm e shqetësonte, por edhe e brengoste tej mase Merxhanin ishte mungesa e krijimit të mendimeve, analizave dhe interpretimeve brenda Shqipërise, nga shqiptarët për Kombin shqiptar. Sipas tij duke mos pasur një gjë të tillë, duhet që mendimet e të tjerëve t’i përkthejmë në realitetin shoqëror të Shqipërisë.

Një nevojë e patjetërsueshme për ngritjen dhe fuqizimin e ndjenjës kombëtare ishte edhe involvimi i religjionit si bartëse e vetëdijes kombëtare. Merxhani këtë e quante “dogmatizim të nacionalizmës”. Me këtë ai nënkuptonte një lloj përbashkimi fetar brenda vetëdijes kombëtare. Dallimet identitare duhet të bëheshin sa më pak të theksueshme në shoqëri, ngase kjo nuk mundësonte ushqimin e ndjenjës nacionaliste, përkundërazi e dobësonte atë. Ajo që duhej të bëhej sipas Merxhanit është që në asnjë formë të mos promovohej ateizmi, përkundrazi të luftohet ai. Ateizmi nuk mundëson përbashkim të njerëzve, ngase ai nuk përfaqëson ndonjë ndjenjë ose shpirt, të paktën jo në Shqipëri, ngase ideja e ateizmit në Shqipëri promovohej nga njerëz të cilët dëshironin të dukeshin më të qytetëruar, por ishin mendjecekët. Ai thoshte se njerëzit në botën e qytetëruar (Perëndim) ishin religjiozë dhe kjo nuk i pengonte të shfaqnin vlera të larta qytetëronjëse. Ideja kryesore pse duhet që religjioni të bëhej bartëse e vetëdijës kombëtare ishte se njerëzit i bashkon jashtëzakonisht shume feja dhe një bashkim i tillë mund të ngritej edhe në nivel kombëtar. Përndryshe dallimet religjioze shkaktojnë ndasi të mëdha që është e pamundur të fshihen, e të bëhen bashkë si vetëdije kombëtare.

Merxhani ishte popullarizuesi kryesor i sociologjisë në Shqipërinë e asaj kohe. Edhe ai, sikurse Gëkalpi ishte ithtar i një sociologjie kombëtare, sepse secili komb ka profilin e vet që e dallon prej të tjerëve dhe prandaj duhet të ketë sociologjinë e tij. Për Merxhanin, shpirti i shqiptarit është një zonë e panjohur që duhet zbuluar nga sociologjia, e cila ka për detyrë të shërojë sëmundjet shpirtërore të shoqërisë shqiptare. Që reformat qeveritare të kenë sukses, atyre duhet t’u prijë sociologjia:

Ne e konsiderojmë Sociologjinë – shkencën e shoqërisë – si fuqi më të nevojshme për aktivitetin tonë reformonjës. Sociologjia është ndihmuesja e parë e reformatorëve.”’

Shkruan: Kushtirm Bekteshi

Comments are closed.

Navigate