Rishikimi i familjes monogame


Familja edhe sot mbetet një nga temat e trajtuara gjërësisht sa i përket zhvillimit të saj, rolit, strukturës dhe çështjeve të tjera që e karakterizojnë. Trajtimi i një teme të tillë është me të vërtetë sfidues e ndoshta për disa sjellë edhe një dozë hezitimi duke marrë parasyshë se familja është institucioni shoqëror më i afërt të cilit i takojmë dhe më i vjetri. Sado e saktë të jetë kjo, e veçanërisht lashtësia e këtij institucioni, familja i ka pasur etapat e saj të zhvillimit që nga parahistoria që nuk ngjasojnë me llojin e familjes që e kemi sot.

Familja është grup shoqëror relativisht i qëndrueshëm, i lidhur me martesë apo adoptim, anëtarët e së cilës jetojnë bashkë, bashkëpunojnë ekonomikisht dhe sigurojnë ekzistencën e pasardhësve. Duhet pasur parasysh se familja është një element aktiv dhe gjithmonë në lëvizje, prandaj ajo në një anë të mundëson ta definosh në shumë mënyra dhe në anën tjetër ta pamundëson një përkufizim të saktë.
Përveç definimit, ekziston një diversitet botëkuptimesh edhe për çështje të tjera lidhur me familjen. Në përgjithësi ekzistojnë mendime dhe vlerësime të ndryshme mes filozofëve, antropologëve e sociologëve lidhur me ndryshueshmërinë, rregullimin, rolin dhe rëndësinë e familjes në shoqëri. Idetë tradicionale të paraqitura nga Aristoteli, Prudoni, Konti, etj. mbrojnë botëkuptimet se rregullimi patriarkal i familjes është realitet i pandryshueshëm dhe i përhershëm. Teoria evolucioniste kishte disa grupime brenda vetës me ide të ndryshme. Vestermarku, si përfaqësues i teorisë evolucioniste idealiste mbronte qëndrimin mbi monogaminë si formën më të vjetër të familjes. Në anën tjetër Durkheim, duke u nisur nga analiza e grupit më primitiv shoqëror – hordës, përfundoi se lidhjet seksuale atëherë nuk kanë mundur të ndodhin ndryshe përpos si çiftim i rastit. Ngjashëm me të, Marks dhe Engels, si përfaqësues të teorisë evolucioniste materialiste, i kanë ndërtuar perceptimet e tyre lidhur me familjen duke u bazuar veçanërisht në të gjeturat e rëndësishme të punimeve shkencore të Lewis Morgan-it dhe ato të Bachofen-it. Pikërisht për shkak të frymës në të cilën do të trajtohet tema, vepra e Engels-it “Origjina e familjes, e pronës private dhe e shtetit” do të jetë pikë referim kryesor sidomos për të paraqitur fillet e saj.

Origjina e familjes monogame

Zbulimet e mëdha gjeografike ishin të një rëndësie të madhe, përveç të tjerash edhe për zbulimet në sferën sociale. Studimet e deri atëhershme mbi funksionimin dhe rregullin shoqëror, familjar, mbi moralin etj. bazoheshin vetëm në modelin europian dhe të vendeve të tjera të njohura deri atëherë që ishte pak a shumë model i ngjashëm. Zbulimet gjeografike hapën rrugën drejt një zbardhje të fakteve lidhur me familjen, të cilat quan në rishikimin dhe përmbysjen e teorive që kishin ekzistuar deri atëherë. Kjo u arrit nëpërmjet shënimeve të shumë misionarëve që udhëtonin bashkë me kolonizatorët, ndër të cilat të një rëndësie të veçantë vepra e Bachofenit “E drejta amnore” dhe “Shoqëria e lashtë” e Morganit.

Morgan ka propozuar një periodizim të shkallëve parahistorike që ka mundësuar të vlerësojë edhe modifikimet që ka pësuar familja përgjatë historisë duke u nisur nga forma e organizimit të familjes në fiset primitive të Amerikës Veriore. Sipas tij parahistoria ndahet në dy etapa: egërsia dhe barbaria të cilat pasohen më vonë me qytetërimin. Secilën nga këto dy epoka ai e ndan në tri shkallë: të ulët, të mesme dhe të lartë sipas përparimeve në prodhimin e mjeteve të jetesës. Poashtu secila nga këto shkallë pasohet edhe me formën e veçantë të familjes që është karakteristike për nivelin e zhvillimit të tyre. Shkallës së ulët të egërsisë i përgjigjet parregulia apo çiftimi i rastit, kur nuk ekzistonin ende kufizimet që u vunë prej zakonit. Nga kjo gjendje primitive e marrëdhënieve seksuale të parregullta ka të ngjarë që të jetë zhvilluar familja e një gjaku ku grupet e martuara ndahen sipas brezave, familje kjo e cila i takon shkallës së mesme të egërsisë. Kjo përjashtoi marrëdhëniet seksuale mes prindërve dhe fëmijëve. Familja punaluane i përgjigjet shkallës së lartë të egërsisë, me ardhjen e së cilës nga marrëdhëniet seksuale përjashtohen vëllezërit dhe motrat. Duke qenë se për të tri këto shkallë ka funksionuar pak a shumë i njejti sistem i çiftimit, ku grupe të tëra të një seksi kanë hyrë në marrëdhënie seksuale me grupin tjetër të seksit të kundërt, kjo ka pamudësuar përcaktimin me siguri të babait. Përcaktimi i origjinës së fëmijëve vetëm nga ana e nënës i siguronte asaj një rol dhe respekt të madh në shoqëri. Në lidhje me përkatësinë e këtyre llojeve të marrëdhënieve apo familjeve në këto tri shkallë të egërsisë është mjaft e veshtirë të gjenden me saktësi argumente të drejtpërdrejta, mirëpo mund të përfundojmë duke i marrë për bazë grupet më primitive, një prej të cilave e ka studiuar vetë Morgani për së afërmi. Ai thotë se “sipas sistemit amerikan të afërisë, të cilit i përgjigjet familja e ishujve Hawai, vëllai dhe motra nuk mund të jenë ati dhe nëna e po një fëmije. Kurse sistemi i afërisë i ishujve Hawai supozon një familje, në të cilën, përkundrazi kjo është rregull”(F.E). Nga kjo del se forma e familjes në ishujt Hawai është edhe më primitive se ajo në Amerikë dhe duke qenë se familja ndryshon më shpejtë dhe më shpesh se afria, konsiderojmë se duhet të ketë pasur formë të familjes edhe më primitive se ajo ekzistuesja edhe në Hawai.

Barbaria shënon epokën e një zhvillimi më të madh krahasuar me egërsinë sa i përket prodhimit të mjeteve të jetesës dhe rregullimit ekonomik e shoqëror. Drejt këtij zhvillimi rol të madh luajti lindja e blegtorisë dhe bujqësisë të cilat patën ndikim edhe në ndryshimin më të madh sa i përket familjes, atë të kalimit në monogami dhe patriarkat. Qysh në shkallën e ulët të barbarisë familja pësoi edhe një modifikim me kalimin në familjen me çifte në të cilën mes disa grave që kishte burri, njëra ishte gruaja kryesore dhe për të ai ishte burri kryesor mes disa burrave të tjerë. Së fundmi, mes shkallës së mesme dhe të lartë të barbarisë ndodh kalimi historik i familjes në monogami. Siç thotë edhe Engelsi, ky ndryshim erdhi më shumë si rezultat i forcave lëvizëse shoqërore sesa natyrore. Këto forca që kanë ndezur shkëndijat e para drejtë monogamisë dhe një rendi të ri qysh në kohën e martesës me çifte, Engels i shtjellon mjaftë qartë si në vijim. “Sipas ndarjes së punës në familje, që ekzistonte atëherë, burrit i binte barra që të gjente ushqimin dhe veglat e punës të domosdoshme për këtë gjë dhe, prandaj, edhe e drejta e pronësisë mbi këto të fundit; kur prishej martesa, ai këto i merrte me vete kurse gruas i mbeteshin orenditë shtëpiake. Prandaj sipas zakonit të shoqërisë së athershme, burri ishte edhe pronar i burimit të ri të ushqimit – i gjësë së gjallë dhe më vonë i veglës së re të punës – i skllevërve. Por, sipas zakonit të asaj shoqërie, fëmijët e tij nuk mund të bëheshin trashëgimtarë të tij…”(F.E). Kjo për shkak se sipas të drejtës amtare pasuria mbetej brenda gjinisë dhe në rast se ndonjë anëtarë i gjinisë vdiste pasuria i takonte gjinisë së nënës së tij. Kështu, me shtimin e pasurive shtohej nga njëra anë rëndësia e pozitës së burrit në familje më tepër se ajo e gruas dhe, nga ana tjetër, krijohej tendenca për ta përdorur këtë pozitë të përforcuar që të ndryshohej rendi i zakonshëm i trashëgimit në dobi të fëmijëve.

“Themelet mbi gruan”

Mënyra e ardhjes së monogamisë në skenë dhe vendosjes së patriarkatit u realizua gjysëm me ndihmën që burrit ia dha koncentrimi i pasurisë në duart e tij dhe gjysëm nga zbatimi i monogamisë ekskluzivisht vetëm kundrejt gruas. “Për arsye se toka po bëhet një pronë që do të zotërohet, ruhet, trashëgohet dhe shkëmbehet, faktorët e trashëgimisë, siç është legjitimiteti i pasardhësit bëhen shumë të rëndësishëm. Me krijimin e shoqërive agrare rreth 5000 vjet më parë në luginën e Nilit, Tigrit-Eufratit, dhe lumit Indus, sistemi patriarkal dhe kontrolli i burrave mbi jetën seksuale të grave zuri një vend të rëndësishëm. Gratë nuk mund të përfshiheshin në marrëdhënie seksuale me burra të tjerë përveç bashkëshortit me qëllim që të siguronin ‘legjitimitetin’ e fëmijëve të tyre”(F.E). Kështu u hoq përcaktimi i origjinës së fëmijëve nga ana e gruas dhe e drejta e trashëgimisë sipas vijës së saj dhe u vendos përcaktimi i origjinës nga ana e burrit dhe e drejta e trashëgimisë sipas vijës së tij. Gruaja në rast të mos besnikërisë ndëshkohej rëndë përkundër burrit që këtë tani e konsideronte si të drejë të tijën. Burri përveç që mund të kishte edhe lidhje të tjera edhe martesën mund ta prishte vetëm me dëshirën e tij dhe ta dëbonte gruan nga shtëpia.

Do të ishte mirë që të bëjmë një rradhitje të disa veçorive, para dhe pas patriarkatit, që të nxjerrim një vlerësim të këtyre dy sistemeve dhe të peshojmë pabarazitë që kanë ekzistuar në shoqëritë në të cilat sundonte e drejta amtare dhe ato në të cilat sundon patriarkati. Gjatë sundimit të së drejtës amtare ndalesat seksuale vlenin për të gjithë njëlloj kurse në patriarkat monogamia vlen vetëm për gruan. Në matriarkat pasuria i takonte gjithë fisit ndërsa në patriarkat pasuria i takonte burrit dhe e trashëgonin pasardhësit e tij kryesisht të gjinisë mashkullore. Matriarkati lejonte që secili që nuk ishte i kënaqur nga martesa e tij ta prishte atë dhe të hynte në një martesë tjetër ose të kthehej në gjininë e tij, përderisa në patriarkat prishja e martesës bëhej vetëm me pëlqimin e burrit. Në matriarkat nuk kishte pronësi mbi njerëzit, kurse për patriarkatin skllavëria ishte një nga karakteristikat e tij. Fare thjeshtë mund të gjykojmë se të mirat qe ia solli monogamia shoqërisë kryesisht janë biologjike dhe më pak ekonomike e shoqërore dhe nga ato të mira përfitonin veçanërisht burrat. Përmbysja e së drejtës amtare ka qenë disfatë e madhe historike botërore e seksit femëror.(F.E)

Lidhja përmes interesit

Vendosja e sistemit patriarkal dhe familjes monogame u bë kryekëput për dominimin e burrit në shoqëri, vendimmarrje, për rregullimin ekonomik në favor të tij dhe për përmbushjen e kënaqësive të tij. Kalimi në monogami nuk kishte për qëllim mirëqenien e fëmijëve por sigurimin e vazhdimit të sundimit të burrit mbi gruan. Kështu në vend se pasurinë ta trashëgonte gjinia e gruas, ajo i’u mbetej fëmijëve dhe kur vajzat martoheshin i mbetej djalit dhe fëmijëve të tij të ardhshëm. Këtë e thekson edhe Engels si në këtë fjali ku i referohet familjes monogame: “Ajo nuk ka qenë aspak fryt i dashurisë seksuale individuale, me të cilën ajo nuk kishte absolutisht asgjë të përbashkët, sepse martesat, si dhe më parë, mbeteshin martesa me leverdi. Ajo ka qenë forma e parë e familjes, në bazë të së cilës qëndronin jo kushte natyrale, por kushte ekonomike, pikërisht fitorja e pronës private mbi pronën e mëparshme të përbashkët, që ishte zhvilluar vetiu.”

Fjala familje në fillim nuk kishte kuptimin që e ka sot. “Famulus do të thotë skllav shtëpiak, dhe familia quhen gjithë skllevërit që janë vetëm të një njeriu. Që në kohën e Gajit familia, id est patrimonium (d.m.th. trashëgim), trashëgohej me testament.”(F.E). Në atë kohë burri kishte të drejtë edhe mbi jetën e fëmijëve dhe të gruasë së tij.
Edhe sot arsyet materiale shpesh janë vënë përpara, kur të rinjët europianë janë pyetur nëpërmjet sondazheve të opinionit se pse ata ose shokët e tyre qenë të prirur për të vonuar lënien e shtëpisë së prindërve. Në fakt, sipas statistikava të nxjerrura nga Eurostati më 2014, 44% e europianëve të moshës 15-30 vjeçare konsiderojnë se të rinjtë nuk mund të përballojnë koston e largimin nga shtëpia e prindërve dhe 28% pajtohen se nuk ka mjaft strehim të përballueshëm në dispozicion. Megjithatë, në disa vende, më shumë se 20% e të rinjëve të intervistuar konsiderojnë se duke mbetur me prindërit e tyre atyre i’u lejon që ata të jetojnë më të qetë dhe me më pak përgjegjësi.
Janë pikërisht lidhjet e interesit dhe jo ato të gjakut që mbajnë familjet tradicionale së bashku dhe çdo veprim i individit brenda këtij institucioni që bjen ndesh me normat dhe vlerat e tij përbën rrezik potencial të braktisjes apo turpërimit për të. Lidhja shpirtëtrore e anëtarëve, dashuria dhe respekti është i kushtëzuar dhe gjithmonë me çmimin e heqjes dorë nga realizimi i plotë i vetevetës.

Religjioni

Me zhvillimin e familjes eci paralelisht edhe zhvillimi i pikëpamjeve fetare. Vendosja e sistemit patriarkal dhe monogamisë i hapi rrugë edhe ardhjes graduale të monoteizmit. Tani monoteizmi ishte ai i cili i përshtatej më shumë rregullimit të ri shoqëror nën patriarkatin. Ashtu si në familje edhe feja e re tani kishte një figurë kryesore së cilës i vishej i gjithë autoriteti, respekti, rëndësia etj. Pikërisht për këtë arsye, fetë e mëdha monoteiste mbrojnë idenë se monogamia ekziston qysh me njeriun. Duke kontestuar këtë religjionit i lëkundet njëra nga shtyllat më të forta të tij, familja monogame. Martesa gjithmonë për fenë ka qenë si një detyrë e domosdoshme e të gjithë njerëzve dhe është institucionalizuar, nxitur dhe përcjellur me ceremoni të ndryshme fetare për t’i dhënë asaj një rëndësi të veçantë.

Asocimi i figurës autoritare të babait me atë të Zotit ja mundëson atij një kontrollim dhe shtypje më të lehtë të anëtarëve të familjes së tij. Në veprën “Format elementare të jetës fetare” Emile Durkheim poashtu flet për autoritetin. Sipas tij “për një subjekt, individual apo kolektiv, thuhet se ngjall respekt kur paraqitja që e shpreh atë në vetëdije ka një fuqi të tillë sa të shkaktojë a të frenojë automatikisht veprime, pavarësisht nga çdo vlerësim relativ i pasojave të dobishme a të dëmshme të tyre. Kur i bindemi dikujt për arsye të autoritetit moral që ia kemi njohur, i ndjekim këshillat e tij jo sepse na duken të mençura por sepse një farë energjie psikike që e ka në vetvete, na përkulë vullnetin tonë dhe e shtyn atë në drejtimin e treguar. Kur kjo trysni e brendshme dhe tërësisht shpirtërore vepron brenda nesh, emocioni që ndjejmë është respekti. Atëherë ne bëhemi të vendosur jo nga përfitimet a humbjet e sjelljes që na këshillohet apo na kërkohet, për nga mënyra si e përfytyrojmë atë që e këshillon apo e kërkon këtë sjellje. Ja përse një urdhër në përgjithësi, jepet shkurt, në formë të prerë që të mos lerë vend për ngurim. Ja përse, në atë masë që urdhri është urdhër dhe vepron me fuqinë e tij, ai e bën të pamundur çdo ide për ta vënë në diskutim a për të bërë llogari; efektshmëria e tij buron prej intensitetit të gjendjes mendore në të cilën jepet. Ky intensitet është ai që e quajnë autoritet moral.”

Ajo çka e preokuponte poashtu Engelsin ishte se me lindjen e monogamisë dhe patriarkatit u shfaq edhe njëri nga problemet më të vjetra, më të mëdha e të pazgjidhshme deri më sot, kundërthëniet mes klasave, që erdhen si rezultat i trashëgimisë së përkatësisë në shtresën e caktuar shoqërore, trashëgimit të titujve, pasurisë etj. “Monogamia ka qenë një përparim i madh historik, por njëkohësisht me të fillon, bashkë me skllavërinë dhe me pasurinë private epoka që vazhdon edhe sot, në të cilën çdo progres është njëkohësisht edhe një regres relativ, kur mirëqenia dhe zhvillimi i disave arrihet me çmimin e vuajtjeve dhe të shtypjes së të tjerëve. Monogamia është ajo celulë e shoqërisë së qytetëruar, me anën e së cilës ne mund të studiojmë natyrën e antagonizmave dhe të kontradiktave që zhvillohen plotësisht brenda kësaj shoqërie”(F.E).

Megjithatë qëllimi i trajtimit të kësaj teme nuk është degradimi apo nënvlerësimi i familjes monogame, rolit të saj, mbështetjes që ajo ofron, lidhjes sentimentale mes anëtarëve të saj etj. por theksimi i rëndësisë së formimit të individit, personalitetit dhe identitetit të tij elemente të cilat familja monogame shpesh i shtyp. Që me ardhjen e saj, familja monogame i ka zbritur anëtarët e saj vetëm në vegla të riprodhimit qoftë jetësor apo ekonomik. Brenda këtij institucioni, besoj edhe sot, më shumë është ndrydhur personaliteti i anëtarëve se sa që është zhvilluar ndonjë dashuri apo respekt i ndërsjellë mes tyre. Siç vëren edhe Durkheim, individualizmi nuk është egoizëm, por një proces marrëdhënieje dhe simpatie e njeriut me njeriun.
Pavarësisht kësaj familja është gjithnjë në tranzicion. Çka dikur mendohej të ishin identitete të “dhëna natyrshëm” sot duhet te rishqyrtohen dhe ndryshohen rrënjësisht jo me qëllim imponimi por çlirimi individual.

Për Virtual Sophists,
Shkruan: Valbardha Buza

 

Comments are closed.

Navigate