Ana

 

Muzgu në Londër të krijon ndjesi të veçantë; të duket sikur çdo ndjenjë njerëzore merr jetë përballë tij, të rrëmben, dhe të vërtit në dimensione të panjohura. Në pjesën ku dielli perëndon, poshtë tij, si silueta duken urat madhështore të Londrës. Arkitektura këtu shfaq madhështinë e perandorisë së dikurshme.

Sot ka qenë ditë e qetë. Më në fund jam ndjerë i lirë. Së bashku me Anën, sot kemi përfunduar projektin final për shkollën. Gjithsesi s’do të flas për shkollën, por për vajzën nga Irlanda, e cila quhet Ana.

Ana është vajza më e shoqërueshme në shkollë, por, çuditërisht, po them çuditërisht, vajza që më se paku pranohet nga tjerët. Ajo disi imponohet tepër, por është aq e brishtë dhe me një sinqeritet që duket se i rjedh nga burimi i qenies. Të gjithë ne tjerët këtu, jemi nga Ballkani, përveç Anës. Sot mendova se në shkollë janë dy lloje njerëzish: ata të brumosur nga mentaliteti ballkanas dhe Ana e panjohur për ne. E vetme, Ana është shpërfaqje e turpit tonë. Të gjithë ne rrimë në grupe, varësisht prej shtetit: serbët veç, malazezët veç, boshnjakët veç, shqiptarët veç!

Epo s’ka se si të jetë ndryshe; ne që jemi nga Ballkani duhet ta zhvillojmë indin nacionalist dhe ta bartim barrën e së shkuarës. Kështu jemi gatuar brez pas brezi. Luftërat në inde e kanë burimin. Një shtet i poshtër, s’ka fije dyshimi, që nxjerr njerëz të poshtër.

Ana nuk arrin ta kuptojë këtë. Prandaj edhe të gjithë aty e përqeshin; sepse Ana nuk ka një grup, fole, ku t’i gjej strehë indit nacionalist. Ajo nuk e sheh askënd brenda grupit; Ana i sheh të gjithë njejtë, pra si njerëz. Dallim goxha i madh ky!

Një pamje e tillë , makabre, mu shfaq sot para sysh kur po fliste Ana. Fytyra të skërmitura, të poshtra, plot vrer – që veç në Ballkan gjen – po e përqeshnin Anën. Por ajo s’i honeps fare për këtë. Ana aty është shoqja ime më e mirë. Tërë kohën jemi bashkë dhe kam mësuar shumë nga ajo. Aq i madh është njerëzillëku i saj, saqë një ditë më fliste se ka kërshëri të madhe për popujt indigjen (njerëz që jetojnë në male). Ne kemi qenë në grup për projektin final. Nesër Ana do ta bëjë prezentimin dhe është e bindur që do ta zëmë vendin e parë. Une s’jam edhe aq.

Dje, derisa punonim në projekt, më pyeti: – Çfarë kuptimi ka jeta për ty? Mbeta i shtangur nga pyetja e saj dhe u përgjigja pa një pa dy: – “Mendoj që s’ka kurrfarë kuptimi”. Çdo gjë duhet ta shohim në raport me vdekjen dhe, të gjithë në fund vdesim. Në këtë sens, thashë, jeta s’ka kurrfarë kuptimi. Përgjigja ime direkte nuk pashë që shkaktoi ndonjë emocion në fytyrën e imët të kësaj qenie, që kurrë në jetën time, s’kam parë dikë që ta jetojë aq shume vetveten. Kjo ishte Ana.

Pas pak ma ktheu prerazi: – Shumë interesante përgjigja jote. S’më ka ndodhur kështu asnjëherë”.

Në atë moment heshtjeje pashë që sytë e zinj i përshkënditën, fytyra i’u hap, dhe dukej si dikush që sapo ka zbuluar misterin e botës. Ashtu në mendime të thella replikoi në formë pohuese: “Po të gjithë vdesim”. Unë, për të mos i’a prishur ekzaltimin s’nxorra zë, vëç buzët më lëvizën një çik dhe thashë me vete: “Po, të gjithë vdesim një ditë, por jo të gjithë jetojmë”.

Pllakosi një heshtje prej varri. Paskëtaj, morrëm trenin e parë për Waterloo. Ana s’e tha asnjë fjalë rrugës. Vetëm kujtoj që më pa njëherë me plot dashamirësi. Pastaj unë, krejt i humbur në mendime, u zgjata dhe e përqafova me krejt qenien dhe ndjeva një nxehtësi nga poshtë-lartë, që ma përshkoi krejt trupin.

Agon Sinanaj

Comments are closed.

Navigate