Një Qershor tjetër i mallkuar i Ajnës

Akrepat e orës kishin kaluar 12-shin. Por Ajnës nuk i hynte në punë nëse orët mësimore kishin filluar. Bashkëmoshatarët e saj, tashmë po bënin gara, se kush do të renditej i pari në rreshtin që e kishin kapluar brohorimat e lezetshme. Njëri i shkelte këmbën tjetrit, e plot të tjerë i ruanin vendet shokëve të bankës. Por, Ajna ishte e harruar. As që e njihnin.

Ndryshe, nga shokët e shoqet e saj, Ajna mbante një barrë më të rëndë në supe, se ato çantat e rënda me libra të shkollës. Ç’do mëngjes të mallkuar, asaj i duhej të ulej skaj kockave të shkapërderdhura , me një letër kartoni që e mbante përpara. Jo për të shkruar diçka. As për të mësuar. Por, për të kërkuar lëmoshë nga zotërinjtë me kollare e këpucë plot shkëlqim që ia shkelnin këmbët e zbathura sa herë i binin pranë. Me kokën poshtë, e kaçurrelet e  palara që ia mbulonin fytyrën e skuqur, ajo detyrohej t’ua kërkonte centët njerëzve që se njihnin fare. Ajna që njihte çdo cep të rrugës tonë nuk e kishte parë kurrë një abetare. Ajo nuk e dinte as si duket një bankë shkollore. E as që ka dëgjuar për mësuesin. Të gjitha këto për të ishin si një mision i pa mundshëm. Ndonëse, Ajna, është shumë e mirë në matematikë. Ajo mbetej ç’do ditë duke i llogaritur centët e mbledhur në letrën e kartonit, duke parë se a i mjaftonin për t’ju blerë bukë prindërve të saj që nuk ditën kurrë t’ia mësonin dyert e shkollës.

Ora e baletit ka filluar. Shoqet që nuk e njihnin Ajnën, i kanë filluar lëvizjet e trupit për relaksim. Derisa ato po vallëzojnë, skaj lokacionit ku po mbahet ora e vallëzimit, Ajna ka mbushur plot të imta centësh të ndryshkur në xhepat e saj gjysmë të shqyer. Dhe është nisur furishëm me vrap drejt furrës me sandalet që ia kanë bërë varrë këmbët, për të blerë një copë bukë me centët që nuk e di se sa do t’i mjaftojnë. Me tu afruar tek cepi i furrës që binte aroma e bukës së pjekur, Ajna fut edhe njëherë dorën e saj të vogël në xhep për t’i numëruar monedhat e lëmoshës.

Por, numërimin ia ndaloj shoqja e saj që Ajna e njoftoi aksidentalisht, kur aty diku afër tek kontejnerët, dëgjoj të qarat e një foshnje të braktisur. Kontejnerët i ndanin pak metra mes objektit të furrës. Ndonëse Ajnën nuk e njohu askush, tani ajo u bë shkas që të njihte një qenie të pafajshme. Futi duart e baltosura në kontejnerë dhe nxori miken e saj të re e të pafat. Sa po e pa, uria e saj për një copë bukë u pashit nga fytyra engjëllore e asaj foshnje. I premtoi nga zemra me sinqeritetin e botës që do ta ketë mike gjithë jetën, në shenjë kujtimi për shoqen që se pati kurrë. Ky ishte edhe një qershor tjetër i zakonshëm për Ajnën!

Shkruan: Fitnete Rrahimi

Comments are closed.

Navigate