Xixëllonja

Xixëllonja

Autor: Gerald Ramaj

Ora 01:30, nata e katërt që shkruaja të njëzetenjëtën faqe të autobiografisë time të pavlerë dhe që shpresoja të nxirrja prej saj një novelë të ndritur. I rraskapitur nga sforcimi i kujtesës, hapa derën e shtëpisë dhe dola në ballkon të shijoja heshtjen e qytetit. Ndeza një cigare dhe nisa të vështroja qiellin; hëna qe mbuluar nga retë dhe kjo më bëri nervoz. Përse kaq e padrejtë? Ato re të qelbura po më hiqnin nga duart një frymëzim të kulluar e joimitues. 
Pasi kaluan pak minuta, po më shkohej në banjo, por nuk desha. I thash vetes se shtëpia është e imja dhe mund të bëj ç’të dua, kështu dola pak më tej dhe pshurrosa mbi një pemë hardhije. Madje në ato momente nisa të mendoja se sa e këndshme do qe po të isha bërë bari. Mund të urinoja kudo dhe as që do më duhej të shqetësohesha siç ndodhte për banjon, e cila duhej larë saherë që e përdorje. Po, një bari mund të pshurrte gjithë shkurret e pyllit dhe as që vinte erë e keqe. Veç të tjerash, të nesërmen binte një shi dhe s’kishe përse ta vrisje mendjen hiç. Ai e kish marrë vetë përsipër higjenën e natyrës që prej kohësh.
Teksa gjethet e hardhisë kullonin, një xixëllonjë u shfaq në fluturim e katavalur dhe u drejtua për nga ballkoni. E ndoqa nga pas gjersa ajo arriti pjesën e ndriçuar nga drita dhe, ndërkohë që ajo u jepte krahëve e manekur, zgjata cigaren poshtë saj dhe prita reagimin që mund të bënte prej tymit. Ajo fluturoi pakëz më tej dhe u rrëzua përnjëherë në çementon e ballkonit. E pash, shtrembërova buzën dhe ndjeva neveri. U ula në gjunjë dhe iu hakërreva: “insekt i vogël i flliqur, mos të kanë plasur sytë? A nuk e sheh që je në shtëpinë time këtu? Ëëë? Ti ndyrësirë e vogël duhet të dish se ky ballkon ka një zot dhe këtu komandon një njeri. Nëse futesh simbas kokës tënde, nuk kam ndërmend të të mirëpres. Vetë u katandise kështu!”. 
Por, me sa dukej ajo ishte ende gjallë edhe pasi kaluan disa çaste. Me dritën të shuar, ajo po hiqej zvarr drejt pjesës së vetme dhe të hapur të ballkonit, hyrja.
Mendova se sa me fat do kisha qenë nëse do kisha një kotele, ajo do mund të luante me të, ta hidhte sa nga njëra putër në tjetrën, t’i ngulte thonjtë e ta hante. Po, unë do i jepja gjithë të drejtat që ajo të bënte ç’të donte me atë insekt.
Nëse e shihja atë çamarroke duke luajtur, edhe unë do mund të gajasesha bashkë me të. Unë s’kisha përse të ndihesha fajtor. Vetë njeriu më kish mësuar pushtetin e kontrollit dhe nënshtrimit; kështu jeta e asaj xixëllonje nuk mund të vlente dot më tepër se kënaqësia ime dhe e maces që prisja.
Nuk besoj se po bëja krim. Amerika kishte kaq vite që vriste njerëz kudo, gjuetarët vrisnin vazhdimisht kafshë, lëkurat përdoreshin prej kohësh si veshjet më të shtrenjta të modës dhe qentë e rrugës vriteshin edhe nga vetë shteti. Përse unë duhej të tregoja mëshirë ndaj një insekti kur edhe këta qenë mund të trajtoheshin ndryshe, pa u dashur tu merrje jetën? Por ja që nuk kishte një arsye përse të mos ua hiqje të drejtën e jetës.
Po, unë isha njeri dhe kisha të drejtë të bëja ç’të doja me atë xixëllonjë.
Kështu, teksa ajo u ndal dhe filloi të dridhej e tëra nga helmi i duhanit dhe frika e ngordhjes, ngrita këmbën me inat dhe e shkela; e ngjesha fort këpucën, i dhash majtas-djathtas dhe kur e tërhoqa ajo nuk dukej më. Grimcat e saja trupore ishin shpërhapur në dysheme e tanimë nuk dalloheshin.
Më pas u mbështeta sërish në kollonën e ballkonit dhe ndeza një tjetër cigare. Ndërkohë, para meje fluturonin përsëritshëm, pa pushim, sa e sa xixëllonja maji.
Ato kalonin para meje, pa u trembur, herë herë më vinin rrotull dhe unë as që e kisha vën re se cigarja ishte fikur prej kohësh dhe më kish djegur gishtin.
Ndenja dhe për një çast, ktheva kokën nga qielli, hëna qëndronte pezull, e zhveshur, dhe më pas i drejtova sytë për nga dera e shtëpisë ku brenda dallohej tavolina ime e shkrimit. Por, mbi të gjitha në atë moment gjendesha me një ide në kokë. Pra, ky na paska qenë sekreti. Unë mund të shkatërroja atë çka shihja dhe mund të justifikohesha se po e bëja për hir të një kryevepre. Në fund të fundit unë njeri isha dhe si njeri mendoja.
Përse të mos ndiqja dhe unë strategjinë e superfuqive; të vrisja me dorën fshehur dhe të bëja deklarata mbarëbotërore se punoja për paqen e mbarë popullatës.
Mund të ishte diçka që e bëja mjaft mirë, por, në mendje mu soll një tjetër plan. Duhej të përgatisja çantën, ta lija tavolinën siç ishte dhe të nisesha për një udhëtim të gjatë nomadik e të pshurrja gjithë pemët e botës para se ata t’i kthenin në letër për traktatet e tyre të paqes.

#GeraldRamaj
20 maj 2019, Tiranë

Comments are closed.

Navigate